Vritet burri e plagoset gruaja, krejt çka ndodhi dje në Podujevë

LAJMEKOSOVE

9/12/20231 min read

Një person, 30 vjeçar ka mbetur i vrarë dhe gruaja e tij është plagosur nga gjuajtja me armë dje në Podujevë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 në rrugën “Zahir Pajaziti”.

“Sot rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur. Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve”,Ndërsa nga Prokuroria thanë për Gazetën Online Reporteri.net se po punohet në koordinim me policinë për të ndriçuar rastin.

“Sipas informatave fillestare, në rrugën “Zahir Pajaziti” Podujevë, nga të shtënat me armë zjarri, një person nuk ka mundur t’iu mbijetoj plagëve të marra nga arma e zjarrit, me ç’rast nga ekipi mjekësor është konstatuar pa shenja jete, ndërkaq një person tjetër është plagosur dhe dërguar për ta marrë ndihmën mjekësore. Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për t’i ndriçuar rrethanat e rastit, si dhe identifikuar personat e dyshuar”, tha për Reporteri.net zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Rrethanat se si ndodhi akti, mbeten ende të panjohura.

Megjithatë, në një prononcim për Klan Kosovën, ka folur axha i viktimës, Mehmet Breznica, i cili u shpreh se do t’i studiojnë të gjitha rrethanat se si erdhi deri tek kjo situatë.

Teksa mes dhembjes, ai paralajmëroi edhe hapat e mëtejmë përmes dokeve të Kanunit.

”Tek ne është edhe një Kanun. E ai do të jetë shumë i keq”, ka deklaruar mes tjerash Breznica, axha i viktimës.