Vizita te Adem Jashari një natë para rrethimit, përvoja me Kurtin si pjesë e UÇK-së e arrestimi i Sekiraçës, krejt çka tha Remi në “Pressing”

LAJMEKOSOVE

9/6/20234 min read

Rrustem Mustafa i njohur si Komandant Remi ka shpalosur detaje nga koha sa ishte komandant lufte në zonën e Llapit.

Ai nga shumë gjëra që tha mbrëmë në Pressing në T7, shpalosi edhe detaje nga vizita e tij te komandanti legjendar Adem Jashari, një natë para se t’i rrethohej shtëpia.
Komandant Remi tha se ka vepruar në UÇK’në nga fundi i vitit 1994, rrugëtimin e tij e përshkroi duke thënë “bashkë me veprimtarin Zahir Pajaziti, kam qenë i urdhëruar si ushtar”.

Ai tha se është njohur mirë edhe me Grupin e Drenicës, duke theksuar se e ka njohur personalisht komandantin legjendar Adem Jashari.

“E kam njohur personalisht, kam qëndru me të shumë herë bashkë, gjatë natës një ditë pa u rrethu shtëpoia, natën e fundit kam qenë bashkë me të…Kam pas një takim në Shtabin e Përgjithshëm në Llaushë, dhe saherë kam levizë në Drenicë, unë kam shku bashkë me Adem Jasharin, mas pari kam shku në shtëpinë e Adem Jasharit dhe bashkë me të kemi lëvizë”, tha Remi në Pressing të T7.

I pyetur më hollësisht për vizitën e tij tek shtëpia e Adem Jasharit, para se të rrethohej shtëpia e tij, Remi tha se interesimi i armikut për Jasharin ka qenë strikt.

“Atë natë bashkë me Adem Jasharin dhe disa të tjerë, kemi shku me një vend ku kanë qenë të plagosurit në Likoshan, atë natë Jashari është kthy në Prekaz, unë me Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, jemi shku. Atë natë kemi qenë të rrethuar ne dhe komandanti, por interesimi për të ka qenë strikt”, u shpreh ai.

Remi u ballafaqua edhe me një deklaratë të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se “Remi ishte turist në luftë”.

Nga kjo deklaratë, pasi e dëgjoi, Remi mbeti “pa fjalë”, teksa thotë se as Haradinaj nuk e beson deklaratën që e ka dhënë vetë.

“Nuk kam çka them,. Jam pa fjalë. Kam respekt për z.Haradinaj, gjithë ato që i tha për jetën e tij…Por para se me hy në UÇK kam qenë në sistem, edhe luftën edhe UÇK-në e shoh si sistem të ndërtuar. Unë besoj që as Haradinaj, as vetë nuk e beson që isha vetëm 3 janë në luftë, skam koment”, tha Remi në Pressing, transmeton Gazeta Express.

I pyetur nëse mes tyre ka mospajtime, Remi tha “nuk ka diçka”.

Ai tha se e njeh luftën mirë dhe se ka qëndru në Dukagjin edhe te Ramush Haradinaj.

“Kam qëndru edhe në Dukagjin te Ramushi, ndodh që flet për këto ditë, që ka folë”, tha ai, duke shtuar se aty ka qëndruar më pak se tri javë.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka dhënë deklarata të forta për rolin e ish-presidentit Thaçi dhe ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi. Sipas Haradinajt, Thaçi e Remi kanë qenë “turistë në luftë”.

Ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, është shprehur se të dy kanë “hyrë e kanë dalë” nga lufta, duke i cilësuar si turistë.

“Zoti Thaçi turist është, më falni në shprehje. Turist është, ai ka qëndru në Drenicë, ai ka qëndru në Rogner, ka qëndru diku tjetër. Zoti Rrustem Mustafa turist është. Ka luftuar tre javë Remi në Llap. Ose tjetri ose tjetri, turista janë në UÇK, o djem. E kanë bërë të përkohshëm, përkohësisht hin e dil. Nuk jam duke ju fol pahiri, por po ju fol dikush i cili që nga data 24 mars 1998, shkoni le t’i marrin hetuesit e Kosovës, prokurorët, le t’i hijnë rend Dukagjinit, le t’i pyesin katun për katun: A jeni kanë në luftë, sa vet jeni kanë, kur ja keni nis, çka ka ndodhë me ju?”, ka thënë Haradinaj në Tëvë1.

“Po të flet dikush që nga 24 marsi 1998 në shpi të vet ka luftuar me krejt familjen dhe jemi kanë bukur profesionistë. Po të flet dikush që vëllau i parë ju ka vra në 1997, në 6 maj 1997. Nga 24 mars 1998 deri në 12-13 qershor s’e kam lëshuar Kosovën asnjë ditë kur janë largu serbët, se kam lëshuar një ditë Kosovën. E kush po më tregon mua sa janë kanë”, ka shtuar ai.

Ai ka folur edhe për kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se Kurti ka qenë bashkëlufëtar i tij në UÇK.

Remi ka thënë se çdo bashkëpunëtor i Adem Demaçit është dhe veteran, duke e përfshirë edhe Kurtin.

”Lufta ka ndryshuar, zona e Llapit ka qenë ndryshe, ka qenë me sistem. Sektorët e stafit të përgjithshëm kanë kriju veteran, jo domosdo me pushkë me dorë. Secili njeri që ka punu në zyrën e Adem Demaçit është veteran”, ka thënë ai.

Por Remi e ka kritikuar Kurtin për qasjen ndaj veteranëve, duke thënë se Qeveria e tij ka krijuar distancë ndaj veteranit të UÇK-së.

”Edhe sot po ju them që Albin Kurtin e kam pasur bashkëlufëtar me ka shty me bë këtë çështje për me ofru më shumë qasjen e tij, e kam dit që vendit i duhet angazhim për të qenë afër me njëri tjetrin, për mos me kriju distanca, shihet që Qeveria ka kriju distanca me ushtarin e UÇK-së”, ka thënë ai.

Po ashtu, ka deklaruar se askush nuk ka guxuar që veteranët t’i largojë nga Projektligji për Pagën Minimale, duke thënë se këtë nuk guxon ta bëjë as Kurti.

Ndër tjerash ai ka folur edhe për një ndalim që iu kishte bërë Enver Sekiraqës, tash i burgiosur si i akuzuar për nxitje të vrasjes së Triumf Riza.

Por para saj ngjarje, Remi thotë se edhe para luftës, Sekiraqa ka shkaktuar probleme në lagje e qytetin e tij.

”Ka qenë person problematik, një qasje e mediave ka qenë interesant për me zmardhu. Beso që ne nuk jemi marrë në atë punë. Shumë ngjarje për atë i kemi msu pas lufte. Ai ka qenë njeri i trajtun për problemet në lagjet dhe qytetet e tij. Ka pas qasje problematike, për njeri që e ka prishur ambientin është marrë dhe është liruar“, ka thënë ai.

Remi thotë se si për Fadil Syleviqin edhe Enver Sekiraqen nuk ka pasur asgjë sekrete.

”Qasja ka qenë shumë transparente, nuk ka pasur asnjë gjë që nuk e kanë ditur një mijë njerëz. Qasja për ndalimin e Syleviqin, por edhe për Enverin nuk ka qenë asgjë sekrete“, ka thënë ai.