Rrjedhin imazhet e konceptit të veturës elektrike Lamborghini Lanzador

AUTO

8/20/20231 min read

Imazhet e konceptit Lamborghini Lanzador – një pamje paraprake e veturës së parë elektrike nga firma italiane e superveturave – janë shfaqur në internet përpara afatit, apo ndryshe 36 orë para zbulimit të saj zyrtar.Të shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale – duke përfshirë edhe llogarinë në Instagram Actu Auto – fotografitë konfirmojnë se koncepti elektrik me dy dyer, do ta mbajë emrin Lanzador, e që në spanjisht përkthehet në “hedhës”.

Kompania gjithashtu ka konfirmuar se modeli i prodhimit pritet të lansohet në vitin 2028. Siç u konfirmua më parë nga drejtuesit e Lamborghini, vetura elektrike është një “coupe” me dy dyer, me katër ulëse dhe një lartësi më të lartë drejtimi – duke kapërcyer hendekun midis superveturave të kompanisë dhe Urus SUV, raporton Drive.Lanzador gjithashtu huazon shenja dizajni nga Lamborghini-t e tjerë të rinj, sikurse fenerët e përparmë në formë të shkronjës Y, harqet të ndezura të rrotave si dhe linja më agresive të trupit.

Brenda, Lanzador ka një kabinë në stil avioni, me ekrane digjitale për shoferin dhe pasagjerët. Ka një konzolë qendrore, dhe ulëse të pasme të cilat edhe mund të palosen. Çelësat e ndërrimit dhe butonat përgjatë pultit dhe timonit janë në përputhje me frymëzimin e stilit të avionit.

Lanzador pritet që të fuqizohet nga arkitektura në ardhje për veturat elektrike të Volkswagen Group SSP Sport e projektuar për veturat sportive me performancë të lartë, me sistem elektrik prej 800 voltëve duke lehtësuar karikimin e shpejtë.