Rama: Balta e propagandës kundër UÇK-së është ngjitur deri në raportet e “Human Rights Watch” – ky gjyq po kthehet në një barrë në ndërgjegjen e botës demokratike

LAJMEKOSOVE

9/7/20231 min read

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka komentuar përplasjen e fundit në Gjykatën Speciale në Hagë, mes avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson dhe dëshmitarit të “Human Rights Watch”, Fred Abrahamsit.

Përmes një postimi të bërë në Facebook, kryeministri shqiptar thotë se me këtë moment ndjehesh vërtetë keq për ideatorët e kësaj trupore speciale, që sipas tij, special ka vetëm misionin e saj të pamundur të prokurorëve të saj për të provuar se Thaçi e të tjerët janë kriminelë lufte.

“Mos e humbni këtë video nëse jeni të interesuar të shihni e të dëgjoni se si balta e propagandës kundër UÇK-së ka ngjitur deri në raportin e një organizate prestigjioze si Human Rights Watch”.“Ky është një moment i gjyqit kundër Presidentit Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së në Hagë, ku ndjehesh realisht keq për ideatorët e kësaj trupe speciale, e cila deri më tash special ka vetëm misionin e saj të pamundur të prokurorëve të saj, për të provuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë kriminelë lufte”, ka shkruar Rama.

Tutje ai ka thënë se ky gjyq po kthehet në barrë në ndërgjegjen e botës demokratike.

“Ky gjyq po kthehet në një barrë në ndërgjegjen e botës demokratike”, ka shkruar në fund Kryeministri Rama.