Policia me operacion në katër lokacione në Kosovë, shënjeston kosovarët që dyshohet se kanë mashtruar zviceranët përmes sistemeve kompjuterike

LAJMEKOSOVEBOTË

8/8/20231 min read

Policia e Kosovës, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike dhe Prokuroria Speciale në bashkëpunim me autoritetet zvicerane sot kanë realizuar një operacion policor në katër lokacione të ndryshme në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

Në njoftimin e bërë nga Policia thuhet se rasti ka të bëjë me disa të pandehur ndaj të cilëve autoritetet zvicerane janë duke zhvilluar procedurë penale se të njëjtit kanë kryer vepra penale të mashtrimit përmes sistemeve kompjuterike.

“Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar prova relevante, rasti është ende në proces hetimor dhe bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve do të vazhdojë për trajtim të mëtutjeshëm të rastit”, thuhet mes tjerash në njoftim.Njoftimi i plotë nga Policia:

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe me prezencën edhe të autoriteteve zvicerane, sot kanë realizuar një operacion policor për zbatimin e urdhrit të Gjykatës Themelore Prishtinë – Departamenti Special.

Gjatë operacionit policor, janë kryer kontrolle në katër lokacione të ndryshme në Kosovë. Urdhri për kontroll është lëshuar bazuar në kërkesën përmes Ndihmës Juridike Ndërkombëtare të autoriteteve zvicerane.

Rasti ka të bëjë me disa të pandehur ndaj të cilëve autoritetet zvicerane janë duke zhvilluar procedurë penale me dyshimin se të pandehurit kanë kryer apo janë të përfshirë në vepra penale të mashtrimit përmes sistemeve kompjuterike, ku të dëmtuarit janë personat që jetojnë në Zvicër.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar prova relevante, rasti është ende në proces hetimor dhe bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve do të vazhdojë për trajtim të mëtutjeshëm të rastit.