Pas kthimit nga Rusia, Erdogan: Perspektiva aktuale për arritjen e paqes është zero

LAJMEBOTË

9/6/20231 min read

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u tha gazetarëve në aeroplan gjatë kthimit nga Socchi, ku u takua me liderin rus, Vladimir Putin, se nuk sheh ndonjë perspektivë për arritjen e paqes në Ukrainë.

“Që nga dita e parë ne ishim për paqe, dialog dhe diplomaci. Ne bëmë përpjekje të mëdha për të parandaluar gjakderdhjen e mëtejshme. Ne nuk e përkeqësuam problemin dhe nuk i hodhëm benzinë zjarrit. Ne u përpoqëm që të dy palët të takohen. Fatkeqësisht, lufta që po zgjat që një vjet e gjysmë ende po vazhdon. Nuk ka asnjë perspektivë për arritjen e paqes”, tha lideri turk.

Ai theksoi se Turqia do të përpiqet të kontribuojë sërish në procesin e shkëmbimit të të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës, raporton bbc.

“Ne do të vazhdojmë të luajmë rolin e një ndërmjetësi në çështje të tilla si shkëmbimi i të burgosurve dhe situata me termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias. Shpresojmë që kjo luftë, e cila dëmton fqinjët tanë dhe të gjithë rajonin, të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur me arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme të bazuar në të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.

Kujtojmë se Turqia, anëtare e NATO-s, përveç negociatave për paqen po përpiqet të bindë Rusinë që t’i kthehet nismës së grurit të Detit të Zi. Moska u tërhoq në muajin korrik, duke i dhënë fund marrëveshjes për transportin e sigurt të grurit ukrainas.Putin përsëriti të hënën se Rusia mund të kthehet në iniciativë, por vetëm nëse Perëndimi ndalon kufizimin e eksportit të produkteve bujqësore ruse në tregjet botërore.Ndryshe, Erdogan do të marrë pjesë në samitin e G20 në Indi më 9-10 shtator përpara se të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York më 18-26 shtator.