Osmani publikon fotografi me Stoltenberg: Përsërita përkushtimin e fortë të Kosovës për anëtarësim në NATO

LAJMEKOSOVE

9/7/20231 min read

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka shpërndarë disa fotografi nga takimi me Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka theksuar se e ka përsëritur përkushtimin e fortë të Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Në selinë qendrore të NATO-s, në takim me Sekretarin e Përgjithshëm Jens Stoltenberg, përsërita përkushtimin e fortë të Kosovës për anëtarësim në NATO. Vendosmëria jonë për të kontribuar krahas aleatëve tanë për siguri dhe paqe afatgjate, në rajon e kudo në botë, mbetet e palëkundur”, ka shkruar Osmani në Facebook.Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në konferencën e përbashkët pas takimit, shefi i NATO-s bëri thirrje që të shmangen të gjitha përshkallëzimet në veri të Kosovës.

Derisa vlerësoi veprimet e fundit nga Kosova, si zvogëlimi i numrit të Forcave Speciale të policisë në veri si dhe planet për zgjedhjet e reja në katër komunat veriore, Stoltenberg theksoi se çdo zbarkim i forcave speciale në veri kërkon pajtimin nga KFOR-i dhe konsultimet me kohë.

“I mirëpresim hapat e fundit të marra nga Kosova për të ulur tensionet duke përfshirë zvogëlimin e numrit të forcave speciale në veri, dhe planet për mbajtjen e zgjedhjeve. Është esenciale që të shmangen çfarëdo lloj eskalimi me tej, inkurajojmë të gjitha palët që të veprojnë në përputhje me zotimet e tyre. NATO e mbështet procesin e dialogut, e mirëpresim edhe takimin e ardhshëm në Bruksel. Në përputhje me zotimet e Prishtinës që nga viti 2013, çdo lloj zbarkimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës, kërkon pajtimin/pëlqimin e KFOR-it dhe presim konsultimet me kohë, kuptimplote, për çfarëdolloj zbarkimi që mund të ndikojë mjedisin e sigurisë”, theksoi ndër tjerash shefi i NATO-s në konferencë para gazetarëve.