O’Brien: Ashtu si në Ballkan, pasojat e luftës në Ukrainë do të ndjehen për dekada

BOTË

7/27/20232 min read

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, paralajmëroi të mërkurën se pasojat e vuajtjeve që po shkakton Rusia në Ukrainë do të ndjehen për breza me radhë, por siguroi se ShBA-ja dhe Perëndimi kanë modele që mund të ndjekin për rimëkëmbjen e saj.

Ai tha se e njëjta gjë vlen për njerëzit që u kanë mbijetuar pasojave të konflikteve në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve të 90-ta.

“Po flasim për dhimbjen njerëzore që do të vazhdojë për dekada. Ajo që ka shkaktuar Rusia në Ukrainë do të mbetet me ne për breza të tërë. E njëjta gjë vlen për njerëzit që u kanë mbijetuar pasojave të konflikteve nga Ballkani Perëndimor në vitet 1990, ku unë i shërbeva vendit me krenari, e deri në Kaukazet jugore”, tha O’Brien, shkruan VOA.

O’Brien, i cili ka qenë i dërguar presidencial për Ballkanin në vitet ’90 gjatë konflikteve në rajon, përmendi koston njerëzore në luftëra si ajo që filloi Rusia ndaj Ukrainës, por shtoi se ka mënyra se si mund të realizohet rimëkëmbja.

“Ne kemi modele se si mund të integrojmë ekonomi si ajo e Ukrainës në ekonomi më të pasura dhe të mbështesim njerëzit e atij rajoni. E njëjta gjë është e mundur për njerëzit e Kaukazeve Jugore përreth Detit të Zi e deri në Ballkanin Perëndimor, nëse veprojmë siç duhet në një ose dy vitet e ardhshme”, tha ai.

Mes pyetjeve nga senatorët, senatori demokrat Bob Menendez ngriti çështjen e kontrollit të Policisë së Shqipërisë në kampin Ashraf 3 në Manzë ku strehohen anëtarët e organizatës Muxhahedinët e popullit Iranian.

Menendez përmendi vdekjen e njërit prej anëtarëve të kampit megjithëse pranoi që ka variante të ndryshme për rrjedhën e ngjarjeve dhe vlerësoi Shqipërinë që i ka strehuar ata

“Ne kemi nevojë për një garanci të vazhdueshme të sigurisë”, tha ai, duke e pyetur O’Brien nëse mund të angazhohet për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të banorëve të kampit.

“Unë bashkohem me ju në vlerësimin e Shqipërisë, e cila është bërë një vend shumë i rëndësishëm strehimi për një numër njerëzish që kërkojnë azil. Do ta shqyrtoj këtë incident”, tha O’Brien.

Kujotjmë se Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri për kontrollet në kamp, ka thënë se kishte dyshime se është përdorur territori shqiptar për të kryer sulme kiberntike ndaj Iranit, teksa ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, i ka mbështetur veprimet e autoriteteve shqiptare duke thënë se “mysafirët e një vendit duhet të respektojnë rregullat e përcaktuara”.