Letra e ligjvënësve amerikanë dhe evropianë alarmon Serbinë

LAJMEKOSOVEBOTË

8/9/20233 min read

Letra e 56 ligjvënësve amerikanë dhe evropianë që e kritikon Beogradin për politikën ndaj Kosovës po vlerësohet në mënyra të ndryshme në Serbi. Derisa përfaqësues të pushtetit thonë se letra është presion ndaj Serbisë për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, një pjesë e opozitës mendon se letra është e pafavorshme, sepse paralajmëron ndryshim në kursin ndaj Serbisë.

Në anën tjetër, ekspertët serbë besojnë se kjo letër është një iniciativë e politikanëve seriozë me funksione të larta nga Evropa dhe Amerika, të cilët tani kërkojnë nga Serbia t’i përmbushë obligimet e saj.

“Me këtë letër balancohet presioni kur është fjala për situatën në veri të Kosovës. Pas Kosovës edhe Serbia është nën presion. Ndaj Serbisë ka akuza të rënda se nuk po kontribuon në uljen e tensioneve në Kosovë. Më herët është thënë se Serbia duhet të shfaqë një vullnet më serioz për t’u ulur sërish në tryezën e bisedimeve, për të kërkuar zgjidhje dhe t’i përmbush obligimet. Serbia tani është shënjestruar, është drejtuar gishti nga Serbia nga një rreth serioz politikanësh”, deklaroi Jellica Miniq nga Lëvizja Evropiane në Serbi.Njohësit e çështjeve juridike konsiderojnë se Serbia nuk duhet të anashkalojë letrën e dhjetëra deputetëve dhe se çështjet duhet të adresohen.

“Nuk duhet anashkaluar edhe përgjigjen e zëdhënësit Stano, i cili tha se kjo është një letër serioze e shkruar nga deputetë të disa vendeve të BE-së, por se BE-ja ka 27 parlamente dhe mijëra parlamentarë dhe kjo duhet parë si hapje e debatit. Nuk duhet një diskutim i zjarrtë, por të flitet me argumente se çfarë nuk ka bërë dhe çfarë mund të bëjë Serbia në javët e ardhshme për të treguar konstruktivitet”, deklaroi juristi Millan Antonijeviq, raporton RTK.

Pas kësaj letre të zyrtarëve perëndimorë, konsiderohet se marrëdhënia e Perëndimit ndaj Serbisë do të varet nga reagimi i autoriteteve serbe ndaj sfidave, që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës dhe procesin e dialogut.Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka falënderuar politikanët nga Europa dhe SHBA për letrën e dërguar në Bruksel, Washington dhe Londër, përmes së cilës kërkohet qasje e barabartë ndaj Kosovës dhe Serbisë dhe ku ankohen për anim kah Beogradi.

Kurti i ka falënderuar me emra tre nga më kryesorit e kësaj letre, si dhe të gjithë nënshkruesit e tjerë. Ai ka përmendur edhe kërcënimin që vjen nga Serbia.

“Faleminderit Alicia Kearns [deputete britanike], Senatorit [amerikan] Bob Menendez dhe Michael Roth [Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut gjerman], si dhe pjesa tjetër e kryetarëve të komisioneve të punëve të jashtme dhe parlamentarëve të lartë të cilët kanë bërë thirrje për solidaritet me Kosovën dhe një qasje ndaj rajonit më të vëmendshme ndaj kërcënimit që vjen nga qëndrimi dhe veprimet agresive të Serbisë”, ka shkruar Kurti në Twitter.Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për deputeten britanike, Alicia Kearns, e cila bashkë me 10 kryetarë të komisioneve për Punë të Jashtme dhe 56 deputetë, i kanë bërë thirrje SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe që të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të përbashkët të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka pranuar një letër nga dhjetëra përfaqësues politikë evropianë dhe amerikanë, të cilët kanë kërkuar nga Brukseli dhe Washingtoni që të ndryshojnë qasjen e tyre në raport me Kosovën dhe Serbinë, ka konfirmuar zëdhënësi i Brukselit, Peter Stano.