Korridori ajror për Kosovën/ Ministri Aliu: Marrëveshja ende nuk është zbatuar, por po presim

KOSOVELAJME

8/6/20231 min read

Marrëveshja për korridorin ajror ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ende nuk është duke u zbatuar në tërësi.

Dakordimi ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Shqipërisë është firmosur në vitin 2020.

Sipas ministrit të infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, janë ende disa teknikalitete për tu vënë në zbatim

“Sa i përket korridoreve me Republikën e Shqipërisë, korridoret janë të përcaktuara, tash kanë dalë edhe në ueb faqe. Në shumicën e fluturimeve ndërkombëtare që bëhen nga Aeroporti i Prishtinës për në aeroporte të tjera e që është rruga më shkurtër nga ato pikat që janë më Republikën e Shqipërisë realizohen. Në kthim një pjesë e tyre realizohen, një pjesë e tyre nuk realizohen për shkak se shpesh janë të paplanifikuara”

Sipas ministrit Aliu ka dakordësi dhe vullnet të mirë nga pala shqiptare për ta vënë në jetë marrëveshjen

“Mendoj se në muajin gusht është koha kur ato do të duhej të dilnin në (ueb faqe), ka ekzistuar një afat prej momentit kur është publikuar në ueb faqe dhe është afati kohor kur duhet të zbatohet dhe mendoj që do ta kemi shpejt. Përndryshe vullneti ekziston, edhe me ministren e Transportit në Republikën e Shqipërisë, Belinda Balluku, edhe me autoritetet e Albcontrollit. Pra, gatishmërinë e kanë”

Nga agjencia e shërbimeve të navigacionit ajror në Kosovë shprehen se korridoret kanë filluar të zbatohen nga viti 2021 në baza taktike. Shqipëria ka publikuar pikat ajrore në korrik dhe tani pritet një konfirmim nga eurocontrol në mënyrë që fluturimet të bëhen të planifikueshme.

Para katër muajsh, Kosova ka nënshkruar marrëveshje bilaterale edhe me Malin e Zi për korridorin ajror që mundëson lejimin e shfrytëzimit të hapësirës ajrore nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.