Komunat humbin miliona nga falja e tatimit në pronë

LAJMEKOSOVE

7/31/20233 min read

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) vlerëson se me Ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme me të cilin qytetarëve iu zbriten faturat deri në 100 euro për vitin 2023, humbin dhjetëra miliona euro, prandaj kërkon nga Qeveria e Kosovës të kompensohen. Komunat po ashtu tash e shtatë muaj po presin përgjigje pozitive nga Qeveria për kompensimin e dëmeve të vërshimeve.

Kuvendi më 27 korrik ka miratuar ndryshimin e Ligjit të ri për tatimin në pronën e paluajtshme, i cili parasheh mundësinë për të përfituar nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në 100 euro, lirime tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore, kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor, zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024 dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit te Komunave te Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se miratimi i Ligjit për tatimin në pronë do t’u kushtojë miliona euro komunave dhe se presin sa më shpejt kompensim.

“Nuk është edhe korrekte, sepse nëse Qeveria mendon t’i falë qytetarët nga 100 euro, duhet të mendoj edhe dëmet e shkaktuara ndaj Komunave dhe ato dëme, neve kërkojmë që të kompensohen. Do të jenë më dhjetëra miliona euro në pyetje, nuk është vetëm këtu 100 mijë euro apo 200 mijë euro. por secila Komunë do të preket, Komunat me mëdha me dhjetëra miliona euro, kurse Komunat e vogla me qindra mijëra euro”, deklaroi Ibrahmi.

Ibrahimi deklaroi se Qeveria e miratoi këtë ligj pa u konsultuar me komunat e Kosovës, veprim ky që thotë se nuk ka ndodhur asnjëherë me qeveritë e kaluara.

“Neve kemi pritur që Parlamenti do t’i konsultojë kryetarët e komunave sepse ky ligj do të ketë impakt buxhetor në Komuna dhe është hera e parë që niveli qendror, sillet karshi komunave në këtë mënyrë, duke mos i marrë parasysh as rekomandimet, as kërkesat e kryetarëve, nuk ka pasur konsultime publike fare me Komuna dhe po mendojmë se ky ligj është miratuar në mënyrë arbitrare, pa konsulta me Komuna. Është hera e parë në Kosovën e pasluftës, që një Qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike të mos i konsultojë fare Komunat e Republikës së Kosovës”, u shpreh Ibrahimi.

Ibrahimi foli edhe për mosekzekutimin e mjeteve për kompensim të dëmeve nga reshjet e shiut të muajit janar, ku përmendi dëmet miliona euroshe në komuna të ndryshme.

“Kemi kryetarë të komunave të cilët janë ankuar se kompensimi i dëmeve nuk është bërë edhe nga viti i kaluar për bujqit. Kemi në komunën e Skenderajt mbi 15 milionë euro dëme, kemi në komunën e Mitrovicës, kemi në komunën e Podujevës rreth dy milionë euro, kemi komunën e Istogut, Klinës, Rahovecit, Mamushës, Suharekës, Gjakovës. Ka pasur dëme nga vërshimet, mirëpo nga vërshimet e janarit nuk është kompensuar asnjë dëm, janë më dhjetëra miliona euro”, deklaroi Ibrahimi.

Sipas tij, komunat në kohë rekorde i kanë plotësuar kërkesat ligjore, por që ato kërkesa qëndrojnë pezull në nivelin qendror.

Ibrahimi foli edhe për dëmtimet e bizneseve në mungesë të ekzekutimit të mjeteve.

“Kemi mbyllje të bizneseve në nivelin lokal për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, nuk kanë pasur mundësi banorët e komunave specifike, që ta ringjallin biznesin sepse të gjitha investimet i kanë pasur në atë kohë në ato biznese dhe qeveria të mos i përkrah banorët e Republikës së Kosovës, për shkak të dëmeve nga vërshimet, sinqerisht është për keqardhje”, tha drejtori i Komunave të Kosovës.

Ibrahimi pati edhe një kërkesë tjetër për Qeverinë, që është hartimi i grantit të katërt, sepse sipas tij, aty parashihen që mbi 100 milionë euro do të shkojnë drejtpërdrejt te komunat.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë qeveri që 18 komuna të ndëshkohen për një vit fiskal, të mos ketë asnjë projekt të ri të përkrahur nga niveli qendror dhe për këtë arsye kryetarët e komunave, kërkojnë që sa më shpejtë ta kemi grantin e katërt, sepse kryetarët aludojnë se po kemi investime kapitale nëpër komuna duke i marrë parasysh kriteret politike dhe etnike”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi ka shprehur pakënaqësi edhe ndaj miratimit të Ligjit për vetëqeverisje lokale, që sipas tij, as kësaj here Qeveria nuk ka komunikuar me komunat për amendamentin e një ligji të tillë.