Kolona të gjata, mërgimtarët presin nga 5 orë në kufirin Serbi-Hungari

LAJMEKOSOVE

8/19/20231 min read

Fluksi i madh i mërgimtarëve kosovarë, që tashmë kanë përfunduar pushimet në vendlindje, ka bërë që edhe gjatë ditës të sotme të shkaktohen kolona dhe pritje të gjata në hyrje dhe dalje në pika kufitare, shkruan Gazeta Sinjalit.

Një mërgimtar ka thënë për Sinjalin se pritjet për të kaluar nga Serbia për në Hungari janë mbi 5 orë.

Sipas mërgimtarit, kolona është e gjatë mbi 10 kilometra.

Mërgimtarët, po ashtu po ankohen se kufitarët në këtë pjesë po e neglizhojnë punën gjë që ka bërë të ketë pritje kaq të gjata.

Kujtojmë se sipas përditësimit të fundit, në pikën kufitare Merdarë, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim të Kufirit kolonat janë deri në 2 mijë metra.

Edhe në pikën kufitare të Dheu i Bardhë, mërgimtarët janë duke pritur me orë të tëra për të dalë nga Kosova, derisa kolona është e gjatë 1 mijë metra.