Kapja e ekstazisë me vlerë 400 mijë euro, Policia jep detaje: Droga transportohej me autobusë nga Prishtina në Tiranë

KOSOVELAJME

8/15/20231 min read

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka dhënë detaje për operacionin e koduar “Punisher 2”, në kuadër të të cilit u godit një grup kriminal që trafikonte nga Kosova në Shqipëri dhe shpërndante lëndë narkotike ekstazi.

Në pranga ranë pesë persona, dy prej të cilëve shqiptarë të Kosovës ndërsa u sekuestruan 11,300 tableta ekstazi MDMA me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën e drogës.

Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, ata transportoheshin me makina të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare.Vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci. U sekuestruan gjithashtu një automjet si dhe 5 aparate celulare.

Të arrestuarit janë Mithat Ramadani 30 vjeç, banues në Prishtinë; Besnik Mujeci, 40 vjeç, banues në Prishtinë; Kalem Picari, 24 vjeç, banues në Tiranë; Ambra Myftari 28 vjeçe, banues në Tiranë; dhe Daniel Avdija 26 vjeç, banues në Tiranë.