“Frikësimi dhe shantazhimi vjen nga Serbia”, “Ndërkombëtarët të reagojnë ashpër ndaj Serbisë”, reagime pas dorëheqjes së shtatë policëve serbë

LAJMEKOSOVEBOTË

8/19/20233 min read

Pasi shtatë policë të rinj nga komuniteti serb dhanë dorëheqje nga Policia e Kosovës, reagimet nuk munguan si nga liderët shtetërorë, por edhe nga ambasadorët e huaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në reagimin e saj të premten tha se frikësimi dhe shantazhimi i këtyre policëve po vjen nga Serbia.

Ajo kërkoi nga Bashkimi Evropian (BE) të marrë masa ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për presionin ndaj policëve serbë.

“Sipas hetimeve të institucioneve tona përgjatë këtyre javëve, janë informata të konfirmuara, rrezikimi, frikësimi dhe shantazhimi i tyre vjen nga Serbia, pra burimin e kanë në Serbi. Ky shtet që fatkeqësisht vazhdon me agresion të hapur në raport me Kosovën, po vazhdon nëpërmjet institucioneve ilegale dhe kriminale në Kosovë t’i bëjë presion qytetarëve serbë që janë pro-integrimit, shfrytëzimit të të drejtave që u ofron edhe Kushtetuta e Kosovës dhe Marrëveshjet e Brukselit”, ka thënë Osmani.Ajo akuzoi Serbinë për shkelje të Marrëveshjeve të Brukselit dhe për shkelje të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Veprime të tilla janë shkelje flagrante e marrëveshjeve të Brukselit, që kanë paraparë që një numër i policëve të jenë prej komunitetit varësisht prej kompozicionit etnik…Pres nga BE-ja të marrë masa ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për shkeljen e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Presioni ndaj policëve serbë vjen nga Serbia dhe strukturat e saj, prandaj presim që dënimi i këtyre akteve të jetë me dënimin e autorëve, autori është në Beograd”, ka vijuar ajo.Po ashtu edhe Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla ka reaguar pas dorëheqjeve të zyrtarëve të rinj të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb.Sveçla tha se zyrtarët policorë po detyrohen që të japin dorëheqje.

Sipas tij, Beogradi po dëmton qëllimisht komunitetin serbë në Kosovë.

“Zyrtarët e policisë po detyrohen të japin dorëheqjen përmes kërcënimeve dhe presioneve nga institucionet e Beogradit. Në këtë mënyrë ata po dëmtojnë qëllimisht komunitetin serb në Kosovë dhe po cenojnë sovranitetin tonë”, ka thënë Sveçla.Po ashtu ministri i MPB-së bëri thirrje që kjo qasje e Beogradit karshi komunitetit serbë në Kosovë duhet të ndalet.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë ashpër ndaj sjelljes së Serbisë”, tha Sveçla.

Edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq tha se policët serbë në veri filluan dhe e përfunduan karrierën e tyre të shkurtër me shënjestrim, fyerje, nënçmim, me kërcënime ndaj tyre por edhe ndaj familjarëve.“Fatkeqësisht, ndoshta nuk ka asnjë serb të Kosovës që të paktën një herë personalisht të mos i ketë ndjerë kërcënimet e egra nga forca e padukshme që shkatërron çdo vepër dhe çdo dëshirë për bashkëjetesë në Kosovën tonë të bukur me metodat e saj shkatërruese”, ka thënë Rashiq.

E shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka thënë se janë duke i ndjekur me shqetësim dorëheqjet e policëve serbë të sapo rekrutuar në Policinë e Kosovës.

Pietro Barbano përmes një postimi në X ka thënë se përbërja e policisë duhet të pasqyrojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë.

“Jam duke parë me shqetësim dorëheqjet e fundit të tre anëtarëve të posa rekrutuar serbë të Kosovës, në Policinë e Kosovës (PK). EULEX-i po i ndjek nga afër këto zhvillime shqetësuese”, ka shkruar Barbano.Shefi i EULEX-it po ashtu tha se: “anëtarët jo shumicë të PK-së mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre përmes punës së tyre të orientuar nga komuniteti. Misioni është i përkushtuar të mbështesë përpjekjet e PK-së që synojnë zhvillimin e policisë efektive, efikase, përfaqësuese dhe të përgjegjshme në fushëveprim më të gjerë të sundimit të ligjit”.Për dorëheqjen e tre policëve serbë ka reaguar edhe ambasadori amerikan dhe ai gjerman.

Ambasadori Jeffrey Hovenier përmes një postimi në rrjetin social X ka shkruar se është duke i ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit.

Sipas tij, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë pa frikësime.