Dy kredi, shtëpi e banesë, kjo është pasuria e Besnik Mujecit, “narko-trafikantit të VV’së” që u arrestua dje në Tiranë

KOSOVELAJME

8/16/20231 min read

Besnik Mujeci, asamblisti dhe ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje që u arrestua dje pasi u kap me mbi 11 mijë doza ekstazi në Tiranë së bashku me katër persona të tjera si pjesë e një grupi të organizuar kriminal i ka të deklaruara dy kredi në deklarimin e pasurisë për vitin 2022.

Ai ka të deklaruara si punë të tij pozitën e këshilltarit komunal në Komunën e Prishtinës detyrë e marrë më 1 nëntor të vitit 2021 dhe gjithashtu funksionin e tij të punës si operator i futjes së të dhënave, punë kjo që e ka marrë në qershor të vitit 2015.

Si pasuri të paluajtshme, Mujeci ka të deklaruar një shtëpi familjare me 250 metra katrorë në vlerë prej 300 mijë euro dhe një banesë me 30 metra katrorë në vlerë 20 mijë euro që është e bashkëshortes së tij.

Mujeci ka të deklaruara gjithashtu edhe dy kredi, një të bashkëshortes dhe një të tijën. Ai në kredinë e bashkëshortes i ka bankës borxh edhe 5400 euro për 53 muaj kredi dhe 2800 euro për 42 muaj.

Paga e Mujecit në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe në Komunën e Prishtinës së bashku është 518 euro. Ndërsa ka të deklaruar edhe pagën e bashkëshortes prej 500 euro në NSHT “FMT”.

Ndryshe, pas arrestimit për drogë, në Shqipëri, të asambleistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e LVV’së, Komisioni Disiplinor i kësaj partie ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur me 15.08.2023 me vota unanime të 5 anëtarëve mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje.