Auditori gjeti parregullsi në projekte mbi 700 mijë euro, Peci: IBK institucioni me shkeljet më flagrante në Kosovë

LAJMEKOSOVE

8/16/20231 min read

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur parregullsi në menaxhimin e buxhetit nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Instituti Bujqësor i Kosovës.

Bëhet fjalë për disa projekte të Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit, që kapin vlerën e mbi 700 mijë eurove, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Ministria dhe Instituti nuk ishin efektivë dhe nuk menaxhuan si duhet projektet e Teknologjisë së Informacionit, me vlerë të përgjithshme prej 700,766 euro, duke mos përfshirë profesionistët e TI-së në planifikimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve”, ka bërë të ditur Auditori përmes një komunikate për media.

Tutje, auditimi po ashtu ka konstatuar se Instituti ka mangësi në menaxhimin e kontratave, mungesë të komisioneve profesionale të pranimit të produkteve të TI-së.

Ndaj këtij konstatimi ka reaguar ashpër Ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Ai ka thënë se Instituti Bujqësor i Kosovës “është institucioni me shkeljet më flagrante në Kosovë”.

Peci tha se në Prokurori veçse ekziston një dosje që dokumenton shkeljet që i ka bërë IBK-ja ndër vite, nga tjetërsimi i pronave, uzurpimi e ndërtimi i pronave private në pronat institucionale; keqpërdorimi e keqmenaxhimi i financave publike; e deri tek sistemi i IT-së jashtë çdo rrjeti qeveritar.

I njëjti theksoi se edhe raportimet për projektet e lartpërmendura me vlerë mbi 700 mijë euro do t’i adresojë shumë shpejt.